Koalicioni VLEN ka reaguar me tone të ashpra pas dorëheqjes së deputetit Salim Sulejmani, duke e cilësuar këtë akt si “goditjen e fundit morale” për Arben Taravarin. Sipas VLEN-it, ky është një sinjal i qartë se shqiptarët nuk shiten për poste dhe se Taravari po mbetet gjithnjë e më i izoluar politikisht.
“Dorëheqja e Sulejmanit është dëshmi se shqiptarët nuk janë plaçkë pazari! Taravari po fundoset i vetëm në prehrin e Ahmetit,” thuhet në reagimin e VLEN, që e quan këtë dorëheqje akt të lartë moral dhe simbol të rezistencës kundër “pazareve politike”.
VLEN thekson se dorëheqjet brenda Aleancës për Shqiptarët po shtohen dita-ditës dhe se shumica dërrmuese e strukturës nuk pajtohet me drejtimin që ka marrë Taravari. “Ai e ka dëmtuar ASH-në më shumë se çdo kundërshtar politik”, thuhet në deklaratë.
Në fund, VLEN i “uron” Taravarit dhe Ahmetit një koalicion të suksesshëm, ndërsa paralajmëron një “tërmet politik” që do t’i rrëzojë të dy nga skena.