Sot pasdite pritet të zhvillohet një takim politik me peshë mes ministrit të Shëndetësisë dhe liderit të njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe kryeministrit Hristijan Mickoski. Takimi vjen në një kohë kur tensionet e brendshme në shumicën qeveritare janë shtuar, veçanërisht për shkak të pozicionimit të Aleancës për Shqiptarët në prag të zgjedhjeve lokale.
Nga Tetova, Taravari përsëriti publikisht qëndrimin e partisë së tij: garim me lista të veçanta këshilltarësh dhe, në shumicën e komunave, kandidatë të vet për kryetarë. Ky vendim, siç u shpreh ai, është miratuar nga Kryesia e partisë, por ai nuk përjashtoi mundësinë që pas takimit me Mickoskin, të rishqyrtohen alternativat nëse ka argumente të reja për t’u marrë parasysh.
Nga ana tjetër, Mickoski ka paralajmëruar qartë se çdo formë e bashkëpunimit mes Taravarit dhe BDI-së në terrenin lokal është e papranueshme për të. Sipas tij, ekziston informacion se në pesë deri në gjashtë komuna, BDI mund të heqë dorë nga kandidimi për kryetarë, nëse në ato komuna kandidon Aleanca. Mickoski e cilëson këtë si “nënshtrim politik” dhe sinjal të një mbështetjeje të heshtur, që bie ndesh me frymën e bashkëqeverisjes aktuale.
Takimi i sotëm nuk është vetëm një çështje formale,ai mund të shënojë kthesë të rëndësishme në raportet brenda shumicës dhe të ndikojë në konfigurimin e skenës politike lokale. Taravari është përballë një sfide delikate – të mbajë autonominë politike që e kërkojnë strukturat e tij lokale, pa minuar ekuilibrat e brishtë në Qeveri.