Gjykata Themelore e Tetovës shpalli sot vendimin për rigjykimin e një prej tragjedive më të rënda në kujtesën e vendit – zjarrin në spitalin modular ku humbën jetën 14 persona.
Ish-drejtori mjekësor Florin Besimi dhe ish-drejtori ekonomik Artan Etemi u dënuan me nga 1 vit e 6 muaj burg efektiv, ndërsa Spitali i Tetovës u gjobit me 1 milion denarë.
Dënimet janë të njëjta me ato të aktgjykimit të parë, por kësaj here me vuajtje reale të dënimit, jo me kusht.
Megjithatë, për familjarët e viktimave, ky vendim përfaqëson një dështim të rëndë të drejtësisë. “1 muaj burg për çdo jetë të humbur”, thanë të revoltuar, duke e cilësuar këtë vendim si tallje me dhimbjen e tyre. Ata akuzuan drejtësinë për moshetim të plotë dhe mosndjekje të përgjegjësve më të lartë politik dhe teknik, përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë dhe firmat që montuan spitalin.
Në një deklaratë pas shpalljes së dënimit, Florin Besimi tha se ky proces nuk kishte synim të nxirrte në pah të vërtetën e zjarrit, por vetëm të gjente fajtorë të lehtë.
Familjarët paralajmërojnë se do ta çojnë çështjen deri në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.