Lajme Maqedoni

Skandal me leje qëndrimi në RMV: Arrestohen 11 persona, 7 prej tyre policë – dy të dyshuar në arrati

Prokuroria Themelore Publike ka njoftuar se në një aksion të gjerë policor të zhvilluar sot në Shkup, Shtip dhe në pikën kufitare Bllacë janë bastisur 15 lokacione dhe janë arrestuar 11 persona, përfshirë 7 zyrtarë policorë, të dyshuar për përfshirje në një skemë korrupsioni lidhur me lejet e qëndrimit për shtetas të huaj në Maqedoninë e Veriut. Dy persona të tjerë mbeten në arrati.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë ndërmjetësuar dhe lehtësuar pajisjen e paktën pesë shtetasve të huaj – kryesisht nga Turqia – me leje qëndrimi të përkohshëm, ndonëse qëndrimi i tyre ishte i paligjshëm dhe afatet për arsye studimi kishin përfunduar. Policia ka vepruar përkundër ligjit, duke mos shqiptuar masat e parashikuara ligjore, në këmbim të shpërblimeve të caktuara.

Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për pesë nga të dyshuarit, ndërsa për tetë të tjerë ka kërkuar masa kujdesi. Sipas autoriteteve, përveç përfitimeve personale, veprimet e zyrtarëve të përfshirë kanë dëmtuar edhe Buxhetin e shtetit, duke shmangur gjobat ligjore që sillen nga 50 deri në 250 euro për çdo kundërvajtje.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa Prokuroria paralajmëron masa të mëtejshme për zbardhjen e plotë të rastit.

Exit mobile version