Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar akreditimin e Medresesë “Isa Beu” në Kondovë ka shkaktuar një tjetër përplasje politike mes partive shqiptare në vend. Vendimi, që rrëzon miratimin e bërë nga qeveria e kaluar në mars të vitit të kaluar, ka nxitur reagime të ashpra nga VLEN dhe BDI.
VLEN e ka quajtur vendimin si një provë të re për, siç thonë ata, “mashtrimet dhe premtimet boshe” të BDI-së. Ata pretendojnë se akreditimi i shkollës ishte i pavlefshëm dhe është përdorur nga DUI për qëllime elektorale, duke manipuluar ndjenjat fetare të shqiptarëve.
“Ky është një dështim personal i Ali Ahmetit dhe i klikës së tij, që për interesa të ngushta politike kanë përdorur fenë dhe ndjenjat e shqiptarëve. Tani e vërteta doli në shesh – medreseja nuk ka qenë kurrë e akredituar ligjërisht,” thuhet në reagimin e VLEN-it.
Në anën tjetër, BDI ka reaguar ashpër kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si antikushtetues dhe si një goditje ndaj lirisë fetare dhe dinjitetit të komunitetit mysliman. Ata i kanë kritikuar edhe partnerët politikë për, siç thonë, heshtjen dhe mungesën e reagimit ndaj kësaj çështjeje.
“Në vend që të mbrojnë të drejtat e qytetarëve, ata mbrojnë karriget dhe urdhëruesit e tyre. Ky vendim është rikthim te idetë për një shtet njëkombësh, pa vend për të tjerët,” thekson BDI në reagimin e tyre.
Pas këtij vendimi, reagim ka ardhur edhe nga Bashkësia Fetare Islame, e cila ështëk shprehur “thellësisht e shqetësuar” dhe e papajtueshme me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.