Lajme Maqedoni

Salim Sulejmani jep dorëheqje nga ASH dhe mandati i deputetit: “Nuk mund të jem pjesë e një bashkëpunimi me BDI-në

    I zgjedhuri i Aleancës për Shqiptarët dhe përfaqësues i koalicionit VLEN në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Salim Sulejmani, ka dhënë sot dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake dhe nga mandati i deputetit. Në një deklaratë të detajuar publike, ai ka sqaruar arsyet e këtij vendimi, të cilin e quan të ndikuar nga zhgënjimi i thellë politik dhe devijimi i parimeve fillestare të koalicionit.

    Sulejmani thekson se u përfshi në politikë me bindjen se ndryshimi i vërtetë kërkon përfshirje direkte dhe guxim qytetar. Ai vlerëson se koalicioni VLEN lindi si reagim ndaj një përfaqësimi të degraduar nga BDI, të cilën e akuzon për korrupsion, kapje të shtetit dhe neglizhencë ndaj nevojave të qytetarëve shqiptarë në vend.

    “Nuk hyra në politikë për ambicie personale, por për të adresuar realitetin e hidhur të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut,” shprehet Sulejmani, duke theksuar se kishte parë te VLEN një alternativë për një përfaqësim dinjitoz dhe të drejtë.

    Por sipas tij, vendimi i fundit i Aleancës për Shqiptarët për t’u afruar me BDI-në në prag të zgjedhjeve lokale, përbën një devijim të thellë nga kauza fillestare dhe përbën një tradhti të premtimeve të dhëna qytetarëve. Ai vlerëson se ky bashkëpunim me struktura të diskredituara është i papranueshëm dhe në kundërshtim me çdo parim të integritetit politik.

    Duke falënderuar mbështetësit dhe votuesit, Sulejmani siguron se angazhimi i tij për komunitetin nuk përfundon me këtë dorëheqje: “Kauza vazhdon, vetëm se në forma të tjera dhe me mjete të tjera. Ju premtoj se shumë shpejt do t’i ndjeni frytet e këtij angazhimi”vazhdon më tej Sulejmani. Press7