Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me fermerët në Dimal, ku prezantoi një plan të detajuar për zhvillimin e bujqësisë dhe mbështetjen e fshatit, në rast se vjen në pushtet.
Berisha theksoi se qeveria e tij do të angazhohet për një kthesë rrënjësore në politikat bujqësore, duke përfshirë:
• Rritje të subvencioneve: Nga 32 milionë euro në 230 milionë euro, me eliminimin e kritereve të vështira për përfitim si hektarët apo numri i kafshëve. Mbështetja do të bazohet në realitetin e çdo ferme.
• Furnizimi me naftë me çmim kostoje për fermerët, për të ndaluar abuzimin dhe për të garantuar barazi me vendet fqinje si Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
• Ndalimi i importeve të inputeve bujqësore që nuk lejohen në Bashkimin Europian. Përdorimi i pesticideve të rrezikshme do të trajtohet si krim i rëndë.
• Vendosja e taksës për qumështin pluhur, me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendas. “Qumështi shqiptar do të preferohet dhe do të dominojë në treg”, u shpreh Berisha.
• Eliminimi i monopoleve në tregun bujqësor dhe krijimi i bordeve të përbashkëta për përcaktimin e çmimeve. Grumbulluesit do të jenë të detyruar të kenë sigurime për të garantuar pagesën ndaj fermerëve.
Në lidhje me pensionet në zonat rurale, Berisha premtoi:
“Brenda 100 ditëve të para të qeverisjes sonë, asnjë pensionist në fshat nuk do të marrë më pak se 200 euro, qoftë pension i plotë apo i pjesshëm. Ky është një akt dinjiteti për banorët e fshatit.”
Ai shtoi gjithashtu se projekti i “Ballkanit të Hapur” do të anulohet menjëherë, duke e quajtur të dëmshëm për interesat e fermerëve shqiptarë dhe prodhimin vendas.