Botë Lajme

Rusia kritikon sërish mburojën raketore të Trump “Golden Dome”: Rrezikon sigurinë globale

    Projekti i propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, për zhvillimin e një sistemi të mbrojtjes raketore “Golden Dome”, po vazhdon të nxisë reagime nga fuqitë bërthamore, me Moskën që është shprehur sërish kundër një projekti të tillë.

    Sipas Reuters, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se Shtetet e Bashkuara po minojnë themelet e stabilitetit strategjik përmes projektit të tyre “Golden Dome”.

    Kujtojmë se projekti me vlerë 175 miliardë dollarë, i propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, synon të neutralizojë kërcënimet nga Kina dhe Rusia. Ndërsa, edhe më herët Kremlini ka paralajmëruar se planet për ndërtimin e kësaj mburoje raketore mund të detyrojnë në një të ardhme të afërt rifillimin e kontakteve ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit për kontrollin e armëve bërthamore.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ditë më parë ka thënë se ndikimet globale të këtij projekti nuk mund të injorohen.

    Veç Rusisë, me qëndrime të ashpra kundrejt këtij projekti, kanë dalë edhe Kina e Koreja e Veriut.