Pas njoftimit të Arben Taravarit për largimin nga Qeveria dhe kalimin në opozitë, ka ardhur një reagim i fortë nga njëri prej liderëve të koalicionit VLEN, Izet Mexhiti. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mexhiti akuzon Taravarin se jo vetëm që nuk ka sjellë ndryshimin e premtuar, por ka qenë një prej pengesave kryesore për realizimin e tij.
“Ti nuk e solle ndryshimin. Ti e pengove ndryshimin.
Ti nuk po kthehesh tek populli. Ti po kthehesh tek lista e zezë.
Ti nuk po e braktis Qeverinë. Ti e tradhtove Qeverinë.
Ti nuk e përfaqëson frymën e anëtarësisë së ASH-së. Ti e mashtrove atë.
Ti nuk je heroi i kësaj historie. Ti je dëshpërimi i çdo shqiptari – intelektual apo punëtor, burrë apo grua,” – shkruan Mexhiti.
Sipas tij, largimi i Taravarit nuk është akt politik i përgjegjshëm, por një veprim i motivuar nga interesa personale dhe frikë nga përgjegjësia në një moment vendimtar për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Koalicioni VLEN rithekson përkushtimin e tij për ndryshimin, duke ftuar të gjithë ata që ndihen të mashtruar dhe të zhgënjyer nga ky veprim, të bashkohen me alternativën që sipas tyre, përfaqëson drejtimin e vërtetë politik për shqiptarët:
“Busulla politike e ndryshimit është VLEN. Ejani me ne!”, ka shkruar Mexhiti ne FB.