Lajme Maqedoni

Qoku: Pas 23 vitesh premtime boshe, lëshohet për qarkullim segmenti i parë i Autostradës Ohër–Kërçovë

    Ohër/Kërçovë – Pas më shumë se dy dekadash pritje, më në fund qytetarët po shohin rezultate konkrete në ndërtimin e Autostradës Ohër–Kërçovë, një pjesë kyçe e Korridorit 8. Në një status të publikuar në rrjetet sociale, deputeti Bekim Qoku njoftoi se janë lëshuar për qarkullim 20 kilometrat e parë të kësaj autostrade strategjike.

    “Në vetëm 12 muaj qeverisje me VLEN-in, kemi bërë atë që të tjerët nuk arritën ta bëjnë në 23 vite pushtet – as edhe një kilometër të vetëm autorrugë,” shkruan Qoku.

    Ai shton se për vite me radhë, projekte të tilla strategjike për rajonin janë lënë pas dore, ndërsa qeveria aktuale me përfaqësim të VLEN-it po rikthen fokusin te investimet reale që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

    “Ata ndërtuan pasuri për veten, jo rrugë për qytetarët. Ne po e ndryshojmë këtë realitet me punë konkrete, jo me fjalë bosh.” thekson Qoku./press7.tv