Kosovë Lajme

Qeveria në detyrë merr vendim për rritjen e shtesave për nënat lehona

Screenshot

Qeveria e Kosovës në detyrë ka marrë vendim për rritjen e shtesave për nënat lehona në Kosovë. Sipas vendimit, shtesat për nënat lehona do të rriten nga 170 euro në 325.9 euro. “Me që tash e kemi pagën minimale të re, është koha që kjo të reflektohet edhe për shtesa për gratë lehona. Sot do të miratojmë rritjen e vlerës mujore të shtesave, nga 170 euro në 325.9 euro, aq sa është vlera neto e pagës minimale të re. Pra për të gjitha nënat lehona nga ky muaj shtesa mujore do të rritet në 325.9 euro, e kjo përbën një rritje prej 91.7% apo gati dyfishim të shtesave” – ka thënë kryeministri në detyrë Albin Kurti. “Për 6 muaj shtesa e rritur përkthehet në 1 mijë e 955 euro, e kur kësaj i shtojmë shtesën mujore për fëmijën që është së paku 20 euro në muaj , apo 120 euro për 6 muajt e parë atëherë efektivisht del se Qeveria mbështet secilën nënë të re 2 mijë e 75 euro. Pra për çdo fëmijë të lindur mbështetja e Qeverisë vetëm për 6 muajt e parë e tejkalon vlerën e 2 mijë eurove”.

Tutje, kryeministri në detyrë Kurti ka thënë se Qeveria do të merr vendim edhe për përcaktimin e pagës mesatare referuese, e cila do të shërbejë për përllogaritjen e pagesës për 3 muaj në nivelin 50% të pagës mesatare, që marrin si shtesë nënat lehona të punësuara. “Pra përveç pagesës 70% për 6 muaj nga punëdhënësi, lehonat e punësuara do të përfitojnë mbështetje për 3 muaj të tjerë nga Qeveria në vlerën e 319.5 euro, që është 50% e pagës mesatare” – ka thënë Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë. Tutje, Kurti ka përmendur edhe rritjen e pagave për shërbyesit civil, e cila nga muaji korrik shënon rritjen e dytë brenda vitit prej 55 euro, ashtu siç ishte paralajmëruar në fillim të vitit. Kurti tha se në muajin korrik pagat për rreth 80 mijë shërbyes civilë do të dalin me rritjen e dytë prej 55 euro, që në total i bie 110 euro më shumë se pagat e vitit 2024

Ashtu siç e kemi thënë dhe miratuar në Ligjin e Buxhetit, pagat e shërbyesve publik rriten dyherë nga 55euro për të kompletuar rritjen prej 110 euro. Rritja e parë ka filluar që nga janari i këtij viti. Rritja e dytë do të fillojë së zbatuari nga muaji korrik ashtu siç e kemi paraparë në Ligjin e Buxhetit. Sot marrim vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore shtesë për të gjitha organizatat buxhetore. Pra pagat e 80 mijë shërbyesve civil do të jenë për 110 euro më të larta, në krahasim sa ishin në dhjetor 2024” – ka thënë Kurti. Qeveria e Kosovës më 29.10.2024 kishte njoftuar për rritjen e pagave për punëtorët e sektorit publik në Kosovë nga janari i viti 2025. Kryeministri Kurti përmes një konference për media kishte njoftuar se një pjesë e rritjes së pagave do të bëhet nga janari, e pjesa e dytë e rritjes nga korriku i vitit 2025. “Të gjithë të punësuarve në sektorin publik, pagat do t’u rriten për 55 euro nga janari, dhe për 55 euro tjera nga muaji korrik i vitit të ardhshëm”- u shpreh ai, duke bërë të ditur se rritja e përgjithshme e pagave brenda vitit 2025 do të jetë gjithësej 110 euro bruto” – kishte thënë Kurti.

Exit mobile version