Në seancën e 77-të të saj, Qeveria miratoi një sërë vendimesh me rëndësi për qytetarët, përfshirë mbështetjen financiare për projektet rinore dhe ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Përmes Ministrisë për Punë Sociale, Demografi dhe Rini, organizatat rinore do të kenë mundësi të aplikojnë për grante deri në 300.000 denarë për projekte që synojnë:
- Fuqizimin e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje;
- Promovimin e punës rinore si mjet për zhvillim personal e social;
- Edukimin medial dhe digjital për luftimin e dezinformatave;
- Reduktimin e dhunës dhe forcimin e sigurisë digjitale në shkolla;
- Nxitjen e vetëpunësimit dhe sipërmarrjes tek të rinjtë.
Një thirrje publike do të shpallet për përzgjedhjen transparente të projekteve, me mbikëqyrje nga Ministria dhe Sekretariati i Përgjithshëm.
Gjithashtu, Qeveria miratoi Propozim-Ligjin për ndryshime në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, që pritet të sjellë më shumë transparencë, efikasitet administrativ dhe pjesëmarrje qytetare në funksionimin e komunave, pas miratimit në Kuvend.
Qeveria thekson përkushtimin e saj për reforma konkrete dhe mbështetje të vazhdueshme për të rinjtë dhe vetëqeverisjen lokale.