Lajme Maqedoni

Qeveria i dha dritë jeshile propozim-Ligjit për lojërat e fatit i cili largon nga shkollat kazinotë

    Propozim-Ligji për lojërat e fatit të cilin e kaloi Qeveria ditë më parë, i referohet tre masave rigoroze kundër industrisë së bixhozit: largimin e kazinove dhe pikave të tjera për lojëra fati 500 metra nga cilido institucion arsimorë, zvogëlimin apo përgjysmimin e numrit të aparateve të bizhozit rreth 70 për qind dhe rritjen e dukshme të taksave për bizneset që ofrojnë dhe organizojnë lojëra të fatit. Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti tha se me këtë propozim, industria e bixhozit përgjysmohet dhe se vendimet e ardhshme do të jetë edhe më agresive që do të çojnë drejtë mbylljes totale.

    “Me projektligjin të cilin e miratuam dje në Qeveri, në fillim do të ulet prezenca e kësaj katastrofe kolektive, për të paktën 70 përqind. Po e theksoj, ky është vetëm fillimi, pra nga mbi 7000 aparate VLT, me goditjen e parë do të eliminohen 4000. Po ndalojmë reklamimin e bixhozit, kazino nuk do të ketë më nëpër vendbanime, qytete e fshatra, siç është gjendja aktualisht. Po largojmë klubet e bixhozit dhe bastoret të cilat organizojnë bixhoz, për të paktën 500 metra, nga objektet shkollore, çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme”, tha Izet Mexhiti, Zv kryeministër i parë.

    Mexhiti paralajmëroi rritje të ndjeshme të taksave dhe tatimeve për bizneset që ofrojnë lojëra të fatit. Kjo sipas tij bëhet që të forcohen kushtet, kontrollimi i tyre dhe grumbullimi i taksave reale.

    “Po rrisim taksat dhe tatimet, për të vështirësuar procedurën e hapjes së pikave të kumarit. Sa për krahasim, në qeverisjen paraprake, me një licencë, kompanitë kanë hapur pa fund pika basti, e tani kjo do të bëhet e pamundur”, shtoi Izet Mexhiti, Zv kryeministër i parë.

    Me këtë vendim, Qeveria ka nisur luftën kundër industrisë së bixhozit e cila mbetet në e fortë falë vendimeve që kishte miratuar Qeveria e kaluar, për të cilat janë hapur hetime për shpërdorime me licencat, prokurimet publike dhe ndarjen e industrisë në pronësi shtetërore në shoqata aksionare në kundërshtim me ligjin. /Alsat.mk