Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, ka firmosur urdhrin e parë zyrtar për ndalimin e 53 faqeve të internetit që kanë ofruar lojëra të fatit në mënyrë të paligjshme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Sipas ministrit, këto platforma janë përdorur nga qytetarë të vendit, të cilët janë lidhur përmes adresave IP vendore dhe kanë shpenzuar para në faqe që nuk kanë asnjë leje për të operuar brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.
“Me këtë ndalim, pengohen 53 portale që në mënyrë të paligjshme kanë ofruar lojëra të fatit dhe ku janë të kyçur lojtarë maqedonas. E dimë që janë nga Maqedonia sepse qasen nga adresa maqedonase dhe i shpenzojnë paratë e tyre,” u shpreh Andonovski në një intervistë për emisionin “Për ose kundër” në TV Alfa.
Zbatimi i vendimit brenda 7 ditëve- Urdhri është dorëzuar tashmë te Agjencia për Komunikime Elektronike (AEK), e cila ka për detyrë t’ia përcjellë atë operatorëve telekomunikues në vend. Brenda 7 ditëve, operatorët janë të detyruar të bllokojnë qasjen në këto platforma.
Ministri e cilësoi këtë masë si fillimin e një fushate më të gjerë kundër lojërave të fatit të paligjshme në internet, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe sigurimin e një tregu të rregulluar dixhital.
“Këto janë portalet më aktive në treg, me numrin më të madh të përdoruesve dhe me qarkullim të madh të mjeteve financiare. Kjo nuk do të jetë masa e fundit,” shtoi Andonovski.