Kosova po përballet prej muajsh me një krizë politike të thellë, e shkaktuar nga dështimi i vazhdueshëm për konstituimin e Kuvendit. Tensionet janë përqendruar rreth kandidaturës së Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, gjë që ka pamundësuar arritjen e një konsensusi mes partive politike – tashmë për të 18-ën herë.
Ndërkohë, çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe po rikthehet fuqishëm në debat publik dhe politik, duke shkaktuar shqetësime të mëdha për ndikimin që mund të ketë në stabilitetin dhe sovranitetin e vendit.
Në këtë kontekst, publicisti shqiptaro-amerikan Hafiz Shala ka ngritur alarmin për pasoja të mundshme të rënda. Ai paralajmëron se themelimi i Asociacionit përfaqëson një hap drejt ndarjes së pjesës veriore të Mitrovicës dhe rrezikon të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por gjithë rajonin e Ballkanit.
“Çdo përpjekje për të ndërtuar një entitet mbi baza etnike bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe përbën realizimin e qëllimeve të Serbisë për ndarjen e veriut,” ka deklaruar Shala.
Ai i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare – veçanërisht Francës dhe Gjermanisë – që të tërhiqen nga mbështetja për një zgjidhje të tillë, të cilën e cilëson si të rrezikshme dhe të imponuar politikisht.
Shala kujton se Vetëvendosje dhe Kryeministri në detyrë janë shprehur qartë kundër themelimit të një asociacioni mbi baza etnike, dhe u kërkon edhe partive të tjera të bëjnë të njëjtën gjë në mënyrë të qartë dhe publike.
Sipas tij, situata e bllokuar në Kuvend mund të jetë pikërisht pasojë e presioneve për të kaluar këtë marrëveshje.
“Kam frikë se partitë opozitare janë të shantazhuara dhe të kushtëzuara për ta pranuar këtë marrëveshje në këmbim të marrjes së pushtetit. Kjo do të ishte një tradhti historike ndaj vendit,” thekson ai.
Shala gjithashtu rikujton rolin e Francës në Marrëveshjen e Kumanovës të vitit 1999, e cila sipas tij, i parapriu ndarjes së veriut dhe shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga ajo zonë. Ai pyet publikisht: “Pse ura mbi lumin Ibër ende qëndron e mbyllur?” – duke nënvizuar se pas kësaj situate fshihen zhvillime të rrezikshme.
Në fund, Shala propozon që nëse udhëheqësit politikë nuk janë të gatshëm të marrin vendime të guximshme, atëherë çështja e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet një referendumi gjithëpopullor, rezultati i të cilit të jetë detyrues për institucionet vendore dhe i respektuar nga bashkësia ndërkombëtare.