Lajme Maqedoni

Pesë të arrestuar pas vrasjes së mbrëmshme në Shtip – Policia përdor dron për kapjen e autorit

    Një operacion i shpejtë dhe i koordinuar nga policia e Maqedonisë së Veriut, me përdorimin e dronëve dhe forcave speciale, ka çuar në arrestimin e pesë shtetasve turq, të dyshuar për përfshirje në një vrasje që tronditi mbrëmë qytetin e Shtipit.

    Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:25, në lokalin “Vami”, në Sheshin Qendror të qytetit. I dyshuari kryesor, 21-vjeçari K.K. nga Turqia, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj bashkëkombësit të tij, 25-vjeçarit E.O., i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë rrugës për në Spitalin Klinik të Shtipit.

    Menjëherë pas krimit, policia ka ndërmarrë një operacion të gjerë ku janë përfshirë njësi nga Shtipi, Shkupi dhe trafiku rrugor. Në orën 22:15, në pikën e pagesës në Miladinovcë, është ndaluar një veturë BMW me targa të Shtipit, ku ndodheshin katër nga të dyshuarit. Njëri prej tyre, A.H., ka tentuar të largohet, por është kapur bashkë me autorin e dyshuar, K.K.

    Të arrestuarit e tjerë janë T.M. (22), O.M. (29) dhe A.O. (28), të gjithë shtetas turq. Ata dyshohen se kanë ndihmuar autorin të arratiset nga vendngjarja.
    Ministria e Punëve të Brendshme konfirmon se në vendin e ngjarjes janë mbledhur prova materiale, përfshirë gëzhoja dhe pamje nga kamerat e sigurisë, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për autopsion.

    “Si viktima ashtu edhe autori janë identifikuar si shtetas të huaj. Hetimet po vazhdojnë dhe ndaj personave të ndaluar do të ngrihen kallëzime përkatëse në bashkëpunim me prokurorin publik,” njoftuan nga Prokuroria Themelore Publike në Shtip.

    Hetimet për këtë ngjarje të rëndë janë ende në zhvillim.