Një përplasje e tensionuar ka ndodhur në korridoret e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, mes liderit të partisë E Majta (Levica), Dimitar Apasiev, dhe deputetit të VMRO-DPMNE-së, Petar Ristevski.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, debati ka nisur kur Ristevski ka shprehur pakënaqësi lidhur me publikimin e shpenzimeve të tij të udhëtimit, të bërë publik nga Levica. Situata ka eskaluar shpejt kur deputeti i VMRO-DPMNE-së ka kaluar në sulme personale, duke përfshirë edhe referenca fyese ndaj familjes së Apasievit përmendja e bashkëshortes dhe fëmijëve të tij ka ndezur reagimin e menjëhershëm të këtij të fundit.
Tensioni ka arritur pikën kulmore kur Ristevski ka nisur të bëjë kërcënime verbale, çka e ka shtyrë Apasievin të reagojë fizikisht, duke hedhur një filxhan në drejtim të tij. Përplasja ka detyruar ndërhyrjen e stafit të sigurisë së Kuvendit për të ndarë palët dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të incidentit.