Lajme Maqedoni

Paraburgim 30-ditor për Kapushevskin, Sulkoskin dhe Muçën – djali i deputetit te BDI-së,Jahoski në arrest shtëpiak

Gjykata Penale ka vendosur masën e paraburgimit 30 ditor ndaj biznesmenit Ratko Kapushevski, pronar i kompanisë RKM, Erxhan Sulkoski dhe ish-drejtorit të ESM, Adrian Muça. Ata janë të dyshuar në rastin e tenderit të diskutueshëm për furnizimin me mazut të TEC Negotinë. Sipas komunikatës së Gjykatës Penale, vendimi për paraburgim është shqiptuar sepse ekziston rreziku që ata të arratisen dhe të pengojnë hetimin, duke ndikuar te dëshmitarët.

Për të dyshuarin tjetër, djalin e deputetit te BDI-sw , Jahoski, Asmir Jahoski, pronar i kompanisë “Pucko Petrol”, pas paraqitjes para gjyqtarit të procedurës paraprake, Prokuroria Publike u dakordua të ndryshojë masën nga paraburgimi në arrest shtëpiak, çka u pranua edhe nga gjyqtari.

Për shtatë personat e tjerë të dyshuar, të cilët u sollën në gjykatë, u vendosën masa sigurie për të parandaluar arratisjen apo ndikimin në procesin hetimor.

Palët kanë të drejtë të ankimojnë këto vendime para Këshillit Penal.

Më herët, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit hapi një procedurë hetimore ndaj 13 personave dhe një kompanie, për abuzim me tenderin për furnizim me mazut për nevojat e TEC Negotinë. Në aksionin e zhvilluar nën drejtimin e prokurorit publik në disa lokacione në Shkup, Veles dhe Kërçovë, u arrestuan 11 persona.

Në hetim është përfshirë edhe ish-drejtori i ESM, Vasko Kovaçevski, i cili ndodhet në arrati dhe kërkohet me urdhër-arrest ndërkombëtar në rastin “Aditiv”.

Exit mobile version