Një aksion i ri policor është zhvilluar që nga mëngjesi i sotëm në Shkup, në kuadër të rastit të koduar “Bunker”. Sipas informacioneve zyrtare, kontrollet janë duke u kryer në pesë lokacione të ndryshme dhe drejtohen nga një prokuror nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.
Ky operacion është vazhdim i hetimeve ndaj grupit kriminal të njohur si “Belanoca-Baron”, i cili dyshohet për një sërë veprash penale, përfshirë vrasje, zhvatje, dhe djegie të qëllimshme objektesh dhe automjetesh si mjet për shantazh.
Në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet kishin ndërmarrë një aksion të gjerë kundër këtij grupi, duke bastisur 30 lokacione dhe duke konfiskuar para, ar, armë dhe sende të tjera. Atëherë ishin arrestuar katër persona, ndërsa një tjetër ishte dorëzuar në polici.
Autoritetet pritet të publikojnë më shumë detaje në vijim të ditës.