Lajme Maqedoni

“Nxehje” para garës për lokalet / Zyrtarisht një pjesë e emrave do të kumtohen në qershor

Screenshot

Pesë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, partitë politike ende nuk i shpalosin emrat për kryetarë komune. Në VMRO-DPMNE ende po vijon procesi i sondazhit për kandidatët e mundshëm, ndërsa siç kumtoi ministri për transformim digjital, Stafan Andonovski, me një pjesë të kandidatëve do të dalin deri në fund të muajit ndërsa për Qytetin e Shkupit do të dihet më vonë. Megjithatë, siç thonë kandidati do të jetë nga radhët partiake, për dallim nga zgjedhjet paraprake kur dolën me Danella Arsovskën si kandidat mbi partiak. Ende jo zyrtarisht kalkulohet me emrat e ministrit për vetëqeverisje lokale, Zllatko Perinski, me kryetarin e Kisella Vodës, Orce Gjorgjieski, por edhe me ish kryetarin e Shkupit, Koce Trajanovski.

“Valët e para të vendimeve do të merren në gjysmën e dytë të majit për disa komuna, ku tashmë gjithçka është plotësisht e qartë. Një pjesë e madhe e kryetarëve aktualë do të kandidojnë për herë të dytë, kështu që mendoj se kemi një energji të shkëlqyer brenda partisë. Emri për qytetin e Shkupit pres që të bëhet i ditur gjatë verës, megjithëse disa nga emrat që vijnë nga VMRO-DPMNE tashmë janë të njohur për opinionin, ka edhe të tjerë të interesuar, kështu që aktualisht po zhvillohen anketa dhe pres që në mes të verës t’i kemi rezultatet”, tha Stefan Andonovski, ministër për Transformim Digjital.

Situata është e ngjashme edhe në LSDM. Një pjesë e emrave të kandidatëve tashmë po përmenden në opinion, dhe siç theksoi Martin Kostovski në “Daily Click” në TV21, procedura e brendshme partiake ende po vijon dhe nuk mund t’i kumtojnë emrat. Për më tepër, LSDM ka publikuar edhe një shpallje për vetëkandidim për kryetarë komunash. Siç tregoi Kostovski, kandidati për qytetin e Shkupit me shumë gjasa do të bëhet i ditur deri në fund të muajit të ardhshëm. Dihet se si favoritë brenda LSDM-së janë – profesori i Fakultetit të Arkitekturës, Mishko Ralev, dhe ish-drejtori i Kopshtit Zoologjik, Gjorgji Galetanovski.

“Aktualisht janë duke u zhvilluar paralelisht anketat, sondazhet dhe matjet e mendimit publik, sepse është më e rëndësishmja të gjejmë zgjidhjet më pozitive në aspektin e kuadrove që mund t’i ofrojmë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Bëhet fjalë për dy individë të shkëlqyer dhe cilido prej tyre që të kandidojë, nuk dyshoj që shumë më mirë, në një nivel më të lakmueshëm dhe më të suksesshëm, do ta menaxhojë kryeqytetin”, sqaroi Martin Kostovski, LSDM.

Edhe në bllokun shqiptar tashmë janë përmendur disa emra. Për Tetovën, ku pritet të jetë gara më e ashpër, spekulohet se sërish do të propozohet Bilall Kasami nga “VLEN”, ndërsa nga Fronti Evropian përmenden Ilir Demiri, Faton Ahmeti ose Bajram Rexhepi. Jozyrtarisht, është e mundur që edhe Aleanca për Shqiptarët e Taravarit të dalë me kandidatë për Tetovën, ndërsa për Gostivarin përmendet emri i Valbon Limanit.

Exit mobile version