– Me mbi 200 vullnetarë dhe pjesëmarrje të gjerë institucionale, ka nisur sot aksioni më i madh ekologjik në Maqedoninë e Veriut, me qëllim pastrimin e mbi 500 lokacioneve në mbarë vendin. Aksioni filloi nga një nga pikat më të ndjeshme të trashëgimisë kulturore të kryeqytetit – Akuadukti i Shkupit – i cili prej vitesh ka qenë i rrethuar nga mbeturina dhe deponi ilegale.
Iniciativa është organizuar nga shoqata “Men and Mountain” me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe institucioneve të tjera shtetërore dhe lokale. Ajo synon të angazhojë mbi 20.000 qytetarë në tre ditë aktivitetesh intensive, të planifikuara për 9, 10 dhe 11 maj.
Në aksionin e sotëm morën pjesë figura të larta shtetërore si presidentja Gordana Siljanovska Davkova, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Izet Mexhiti, ministrja e Arsimit Vesna Janevska, përfaqësues nga Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), komunat Çair dhe Kisella Vodë, Kryqi i Kuq, ambasadorë të huaj dhe shumë personalitete publike.
Ministri Mexhiti theksoi rëndësinë e këtij aksioni në përputhje me aspiratat e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian:
“Në rrugën drejt Evropës, duhet të sillemi në mënyrë evropiane. Mjedisi dhe trashëgimia kulturore kërkojnë respekt, kujdes dhe angazhim të përbashkët. Ky aksion është shembull i forcës së bashkëpunimit qytetar dhe institucional,” tha ai.
Aktualisht, Maqedonia e Veriut përballet me sfida serioze në menaxhimin e mbeturinave. Megjithëse ekziston legjislacion në fuqi, zbatimi i tij lë për të dëshiruar, duke sjellë pasoja për mjedisin dhe standardet e integrimit evropian.
Aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim me përfshirjen masive të shkollave, organizatave, institucioneve dhe qytetarëve nga e gjithë republika. Objektivi është i qartë: ngritja e vetëdijes publike dhe krijimi i një ambienti më të pastër, më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm për të gjithë.