Lajme Maqedoni

Murtezani: Aleanca po shpërbëhet, strukturat s’e ndjekin Taravarin në përqafimin e Ahmetit!

    Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka komentuar zhvillimet e fundit në Aleancën për Shqiptarët, duke e cilësuar vendimin e Arben Taravarit për ta çuar partinë në opozitë si një veprim që ka shkaktuar tronditje të thella në strukturat e brendshme të subjektit.

    Murtezani vlerëson se reagimi në bazën partiake është i fortë dhe i gjerë, duke përfshirë jo vetëm simpatizantët, por edhe funksionarët dhe mbështetësit tradicionalë të ASH-së.
    “Ajo që po ndodh në Aleancë tregon se strukturat janë më të vendosura të mos përfundojnë në përqafimin e Ali Ahmetit, sesa të ndjekin kalkulimet personale të Taravarit”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se distancimi nga drejtimi aktual është në rritje.

    Lëvizjet në terren e konfirmojnë këtë klimë përçarjeje. Zëvendëskryeministri Arben Fetahi dhe deputeti Salim Sulejmani janë rreshtuar hapur kundër kreut të partisë. Sulejmani ka bërë një hap të paprecedent, duke dhënë dorëheqje jo vetëm nga funksionet partiake, por edhe nga mandati i deputetit, një veprim që e thellon krizën dhe rrit tensionin në kampin e ASH-së.

    Murtezani parashikon se këto nuk do të jenë zhvillimet e fundit. Sipas tij, në ditët në vijim pritet të ketë largime të tjera dhe përshkallëzim të revoltës politike, ndërsa Aleanca për Shqiptarët hyn në një periudhë të trazuar, me pasoja të paqarta për të ardhmen e saj politike.