Botë Lajme

Murati: Banka Botërore nuk mund të na presë pafundësisht

Janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikimin nga Kuvendi që nga muaji maj i vitit të kaluar.

Kështu ka bërë të ditur përmes një shkrimi në ‘Facebook’ ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, sipas të cilit ky lloj financimi është i veçantë, sepse ka kamatë 0%
.
“Shumë shtete do të dëshironin të përfitonin nga një financim i tillë, por Kosova është ndër shtetet e rralla që ka përfituar falë reformave të ndërmarra dhe menaxhimit të mirë të financave publike. Partitë opozitare gjatë legjislaturës së kaluar kishin refuzuar të votonin ratifikimin, ndërsa tash po e pamundësojnë edhe konstituimin e legjislaturës së re duke mos marrë fare pjesë në votim, duke prolonguar kështu ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”, ka potencuar ai, derisa shtoi se “Banka Botërore e as bota nuk mund të na presin pafundësisht”.

“Nëse marrëveshja për 90 milionë euro me kamatë 0% nuk ratifikohet deri në shtator, ekziston rreziku shumë i lartë që këto mjetet t’i merren Kosovës dhe ti jepen një shteti tjetër”, ka theksuar ai.

Prandaj, nënvizoi ai, është jetike që opozita të reflektojë dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit, e pastaj edhe të votojë këtë marrëveshje. “Inatet politike nuk do të duhej t’i kushtonin shtetit tonë”, ka shkruar Murati.

Exit mobile version