Lajme Maqedoni

Mickoski: Të ndërtojmë një Maqedoni të drejtë dhe të denjë për çdo qytetar

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka uruar qytetarët me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punës, duke theksuar rëndësinë e punëtorit dhe kontributit të tij në zhvillimin e shoqërisë.

    “Sot u shprehim respekt të gjithë punëtorëve – atyre që me këmbëngulje, përgjegjësi dhe ndershmëri e çojnë shoqërinë përpara,” deklaroi Mickoski.

    Ai theksoi se puna është një nga vlerat themelore mbi të cilat ndërtohet dinjiteti i njeriut dhe një shtet i avancuar.

    “Qeveria do të vazhdojë të jetë tërësisht e përkushtuar në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. Me rritjen e pagës minimale dhe mesatare, rritjen e pensioneve, krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e të drejtave të punëtorëve dhe uljen e papunësisë, po investojmë në vlerat e qëndrueshme – punën, dijen dhe njeriun,” tha më tej kryeministri.

    Ai nënvizoi se çdo sukses fillon nga njeriu dhe varet nga siguria, stabiliteti dhe motivimi i tij.

    “Të vazhdojmë së bashku ta ndërtojmë Maqedoninë si një shtet të drejtë, solidar dhe të denjë për çdo qytetar të saj. Gëzuar 1 Maji – Dita Ndërkombëtare e Punës!”, përfundoi urimin e tij Mickoski.