Kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, do të takohen sot në orën 17:00 në Qeveri – një takim që shihet si vendimtar për qëndrimin e ASH-së ndaj shumicës aktuale.
Para takimit, Mickoski dha një mesazh të qartë: “Taravari ka dy zgjedhje – ose bashkohet me një qeveri që sjell reforma dhe rezultate për qytetarët, ose shkon pas një modeli që për vite të tëra e rrënoi shtetin dhe institucionet. Nuk ekziston një opsion i tretë.”
Ai shtoi se respekton Taravarin si person, por në politikë besnikëria ndaj fjalës është thelbësore. “Ka dëshmuar disa herë se e mban fjalën. Por lojërat pas perdeve janë të dukshme dhe zakonisht kthehen në bumerang për ata që i bëjnë,” theksoi Mickoski.
Në fund, ai u shpreh se nuk ka ndërmend të kërkojë apo të lusë askënd: “Qeveria është e qëndrueshme dhe e fortë – me ose pa Taravarin. Zgjedhja është e tij.”