Lajme Maqedoni

Mexhiti komenton veprimet e kryetares së Qytetit të Shkupit: Rrugën burrat e BDI-së ja kanë lanë Danella Arsovskës dhe Levicës

    Zvkryeministri Izet Mexhiti, ka komentuar sot veprimet e fundit të kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

    Ai tha se ata kanë pritur që ajo do të jep përgjigje për mosrealizimin e projekteve ose për diçka tjetër, derisa sipas tij, ajo mundohet ta luan rolin e inspektorit të cilën sipas tij nuk e ka.

    Mexhiti, tha se për deklaratat që i bën Arsovska, do të pasojë padi.

    “Kjo nuk është çështja, kjo nuk është problemi. Problemi është se dështoj edhe plani i parafundit i Ahmetit me Taravarin, sepse Ahmeti tha se do të del në rrugë dhe nuk do të kthehet. Por si duket rrugën burrat e BDI-së ja kanë lanë Danella Arsovskës dhe Levicës…prandaj kjo është një strategji e fundit e Ahmetit për destabilizim të vendit, kësaj radhe nëpërmjet komunave dhe fatkeqësisht në bashkëpunim me Levicën dhe me Danellën Arsovskën”, deklaroi Mexhiti.

    Mexhiti, tha se i vjen keq që Danella është bërë instrument i Blerim Bexhetit.

    “Përpos Çairit, mirë është që të njejtën gjë ta bëj edhe në komunën e Sarajit, të shoh ndërmarrjet publike që janë para bankrotit, të jep përgjigje për kontratën për djalin e Blerim Bexhetit, për shërbime intelektuale ndërsa ai është 17 vjeçar”, tha Mexhiti.