Lajme Maqedoni

Lojërat politike sapo kanë nisur: Kush del, kush hyn në Qeveri?

Izet Mexhiti ka lëshuar një deklaratë domethënëse: largimi i Aleancës për Shqiptarët (ASH) nga Qeveria nuk e ka dëmtuar stabilitetin e saj, por “loja sapo ka filluar”. Pyetja që lind është: cila lojë? Është loja e njohur e politikës në Maqedoninë e Veriut, ku një parti largohet nga qeveria, dhe një tjetër i afrohet saj, shpesh jo për shkak të bindjeve programore, por për arsye të thjeshta kalkulimesh pushteti.

Largimi i ASH-së së Taravarit është vetëm kapitulli më i fundit i këtij skenari të vjetër. Megjithatë, ajo që bie në sy këtë herë është se kjo lëvizje ka filluar të shpërbëjë strukturën e brishtë të Frontit Evropian, një koalicion që kishte për synim bashkimin e forcave politike shqiptare dhe të tjerëve për një qëllim të përbashkët.

Përplasjet mes dy fraksioneve të ASH-së – atë të udhëhequr nga Arben Taravari dhe atë të Ziadin Selës, janë kthyer në tension të hapur. Sela, i pozicionuar tashmë në krah të Frontit Evropian, ka qenë i qartë: çdo afrimi i Taravarit me BDI-në është një “vijë e kuqe” që përjashton automatikisht bashkëjetesën politike në të njëjtin front. Me fjalë të tjera, nëse Taravari afrohet me BDI-në, ai de facto largohet nga Fronti Evropian, duke çuar në një përçarje zyrtare të këtij blloku opozitar.

Në të njëjtën kohë, partitë më të vogla brenda Frontit – përfshirë edhe partinë turke të Bejxhan Iljaz, kanë filluar të artikulojnë gatishmërinë për të hyrë në qeveri, duke sinjalizuar se Fronti nuk është më një bllok i qëndrueshëm, por një hapësirë politike në dekompozim. Kjo e bën terrenin politik edhe më të paqartë, ku të gjitha opsionet janë të hapura dhe çdo subjekt politik llogarit si mund të pozicionohet më mirë në prag të zgjedhjeve lokale.

Në këtë sfond, po shfaqet një riformatim i ri politik: dalje të heshtura nga Fronti Evropian, hyrje të mundshme në koalicionin qeverisës dhe negociata në prapaskenë.

A do të kemi një përbërje të re të Qeverisë para zgjedhjeve lokale, apo do të presim të shohim kush do të dalë fitues nga ky raund politik? E sigurt është vetëm një gjë: loja ka nisur, dhe të gjithë janë në lëvizje.

Exit mobile version