Me një investim rekord prej 6 miliardë eurosh nga Mbretëria e Bashkuar, Maqedonia e Veriut hyn në një fazë të re zhvillimi ekonomik dhe shoqëror. Koalicioni VLEN e ka cilësuar këtë si një moment historik dhe një konfirmim të besimit ndërkombëtar ndaj qeverisë dhe vizionit që ajo përfaqëson.
“Nëpërmjet këtij partneriteti strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Britanisë së Madhe, do të realizohen projekte madhore që do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve në të gjithë vendin,” thuhet në deklaratën e VLEN-it.
Projektet përfshijnë ndërtimin e një spitali modern në Kërçovë me qendër shëndetësore, rikonstruktimin e plotë të Spitalit Klinik të Tetovës, përfundimin e Spitalit Klinik në Shtip, ndërtimin e një fakulteti të ri mjekësor dhe realizimin e një hekurudhe moderne nga Tabanoci në Gjevgjeli që do të lidhë vendin me rajonin dhe Evropën.
Sipas VLEN-it, përtej infrastrukturës, qëllimi kryesor është sigurimi i një shpërndarjeje të drejtë të fondeve:
“VLEN si ombrellë politike do të sigurojë që investimet të arrijnë edhe në zonat shqiptare, që për vite me radhë kanë qenë të margjinalizuara. Nga Likova në Strugë, çdo qytetar do të ndjejë përfitimet konkrete të kësaj mbështetjeje ndërkombëtare,” theksohet në kumtesë.
Koalicioni nënvizon se është më i bashkuar se kurrë, dhe se rezultatet e para të qeverisjes së re janë tashmë të dukshme. Kjo paketë investimesh, sipas tyre, është hapi i parë drejt një shteti funksional, të drejtë dhe me mirëqenie të barabartë për të gjithë qytetarët.