Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Shefin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.
Gjatë takimit, Kurti e uroi McGurkun për detyrën e re dhe i shprehu mirëseardhje në Kosovë.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, biseda u fokusua në fuqizimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe avancimin e iniciativave me interes të përbashkët.
“Qeveria e Republikës së Kosovës punon ngushtë me Zyrën e OSBE-së në Kosovë, me qëllim të përbashkët forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve pa dallim, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë”, thuhet në njoftim.