Në një zhvillim që pasqyron qartë përçarjet e fundit brenda Aleancës për Shqiptarët (ASH), një grup zyrtarësh të lartë të kësaj partie, të cilët nuk e mbështesin vendimin e liderit Arben Taravari për të braktisur qeverinë dhe për të afruar qëndrimet me BDI-në, u pritën sot në një takim zyrtar në Prishtinë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Delegacioni që vizitoi kryeqytetin kosovar përfshinte zëvendëskryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit të ASH-së, Arben Fetai, ish-ministrin e Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, deputetin Syrja Rashidi, Feta Alimin dhe disa eksponentë të tjerë që përfaqësojnë një linjë të ndryshme brenda partisë. Ata shprehën qartë përkushtimin e tyre për të vijuar bashkëpunimin me partnerët në Qeveri dhe për të ndjekur një vizion alternativ për zhvillim dhe integrim.
“Në agim të kësaj dite, së bashku me miq të idealit nga Aleanca për Shqiptarët, udhëtuam drejt Prishtinës përmes autostradës ‘Arbën Xhaferi’ – një rrugë që për ne përfaqëson më shumë se infrastrukturë: është simbol i lidhjes sonë shpirtërore dhe kombëtare,” shkroi Arben Fetai në një reagim publik pas takimit me Kurtin.
Nga ana tjetër, Azir Aliu theksoi vendosmërinë për të vazhduar rrugëtimin politik në kuadër të koalicionit VLEN dhe qeverisë aktuale, duke lënë të kuptohet qartë se ndarja me Taravarin nuk do të thotë largim nga misioni i nisur.
“Unë besoj se përcaktimi për ndryshim në shoqëri nuk braktiset me pengesën e parë, por ndërtohet me edhe më shumë punë,” shkroi Aliu në rrjetet sociale.
“Me respekt për kryetarin e partisë dhe të drejtën e tij për vlerësim politik, ndjej detyrim që publikisht të them se unë do të vazhdoj të jem pjesë e procesit që e nisëm së bashku në VLEN dhe në këtë Qeveri!”
Takimi në Prishtinë përforcon sinjalet se brenda ASH-së është formuar një bllok i ri politik që po distancohet gjithnjë e më shumë nga drejtimi aktual i partisë. Ky zhvillim vjen në një kohë vendimtare për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe për vetë pozicionimin politik të ASH-së në skenën kombëtare.