Kosovë Lajme

Kosova në vakum institucional: Për të 16-ën herë Kuvendi dështon të konstituohet

     

    Për herë të gjashtëmbëdhjetë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën të hedhin një hap përpara në formimin e legjislaturës së re. As dita e enjte nuk solli zgjidhje, përkundrazi, thelloi edhe më tej krizën politike që po zvarritet pa një fund të qartë.
    Për të tetën herë, partitë opozitare refuzuan të propozojnë anëtarë për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, propozim ky i iniciuar nga Vetëvendosje më 1 maj, pasi kandidatja e tyre Albulena Haxhiu, dështoi disa herë të siguronte shumicën absolute prej 61 votash.

    Çështja ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Opozita – e përbërë nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, pretendon se propozimi për votim të fshehtë është jokushtetues dhe ka kërkuar një masë të përkohshme për ndalimin e seancave, derisa të shqyrtohet rasti me prioritet.

    Seanca konstituive, e nisur me zvarritje e ndërprerje të njëpasnjëshme, do të vazhdojë më 17 maj, por për momentin duket se është vetëm një përsëritje e një skenari të njohur.

    Deri tani, janë përfunduar vetëm dy procedura, verifikimi i mandateve dhe betimi i deputetëve. Gjithçka tjetër varet nga një vendim që duket i bllokuar në emrin e Haxhiut.

    Figura e Albulena Haxhiut, që është insistimi i palëkundur i Vetëvendosjes, po cilësohet si përçarëse nga PDK dhe AAK, të cilat kanë bërë thirrje për një emër alternativ nga LVV. LDK, nga ana tjetër, ka deklaruar hapur se nuk ka vota për asnjë kandidat të propozuar nga Vetëvendosje.

    Megjithatë, LVV nuk lëshon pe. Si fituese e zgjedhjeve, ajo mbron të drejtën ekskluzive për të nominuar kryeparlamentarin dhe këmbëngul se Albulena Haxhiu është zgjedhja e vetme. Ndonëse ka shprehur gatishmëri për dialog politik, partia në pushtet ka përjashtuar çdo mundësi për të sjellë emër tjetër.

    Ajo që dihet sigurt është se pa kryetar dhe nënkryetarë, Kuvendi nuk mund të konstituohet, dhe pa Kuvend funksional, Qeveria e re nuk mund të formohet.