Lajme Maqedoni

“Kliko i sigurt”, nxënës të shkollave të mesme me projekte për internet më të sigurt

Screenshot

    Ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski, në Fakultetin për shkenca informatike dhe inxhinieri kompjuterike hapi hakatonin rinor “Kliko i Sigurt”, një projekt i ri për internet më të sigurt. Në këtë projekt janë përfshirë nxënës të shkollave të mesme me aftësi të ndryshme në botën digjitale – si programues, dizajnerë, inovatorë, të cilët do të punojnë në projekte për përmirësimin e jetës së të rinjve në internet.

    “Për herë të parë organizohet një hakaton për nxënës të shkollave të mesme dhe të rinj që do të garojnë në projekte që lidhen me zgjidhjen e problemeve të të rinjve dhe qytetarëve, projekte që gjithashtu vijnë nga vetë të rinjtë dhe qytetarët. Këtë herë tema është ‘Kliko i Sigurt’, që do të thotë se do të zhvillojnë produkte, do të testojnë, do të inovojnë në drejtim të aplikacioneve që nënkuptojnë mbrojtjen e të rinjve dhe internet më të sigurt për ta, ose shfletim më të sigurt”, u shpreh Stefan Andonovski, ministër për Transformim Digjital.

    Profesori Ivan Çorbev thotë se projekti synon krijimin e qendrës së parë për internet të sigurt dhe përdorim të teknologjive informative.

    “U përfshimë në këtë konzorcium për të krijuar materiale edukative të dobishme për nxënësit e shkollave të mesme, fëmijët, të rinjtë, nxënësit e shkollave fillore, për të trajnuar mësuesit që të përcjellin njohuritë për internet të sigurt te më të rinjtë”, tha Ivan Çorbev, profesor në FSHIIK.

    Përveç për të rinjtë, planifikohet që Qeveria të mbështesë edhe hakatone dhe aplikacione mobile që do të vijnë nga sektori civil dhe institucionet e arsimit të lartë.