Kreu i Lëvizjes BESA dhe përfaqësues i koalicionit VLEN, Bilall Kasami, u shpreh se nuk paragjykojnë vendimin e mandatarit Hristijan Mickoski për të përfshirë Arben Taravarin në qeverinë e re. Megjithatë, ai theksoi se qëndrimi i VLEN mbetet i palëkundur: në qeveri nuk ka vend për ata që bashkëpunojnë me BDI-në.
“Si koalicion, VLEN do të qëndrojë konsekuent në qëndrimin që asnjë bashkëpunëtor i BDI-së nuk mund të jetë pjesë e ekzekutivit, sidomos në një kohë kur kjo parti ndodhet në listat e zeza dhe duhet të japë llogari për korrupsionin e nivelit të lartë,” tha Kasami.
Ai njoftoi se gjatë mbrëmjes do të ketë takim me Mickoskin për të sqaruar pozicionet dhe për të diskutuar nëse do të ketë rishikim të marrëveshjes për formimin e qeverisë.
“Do të shqyrtojmë me seriozitet marrëveshjen tonë me VMRO-DPMNE-në dhe do të përcaktojmë qartë qëndrimin tonë për vijimin e bashkëpunimit në qeveri,” shtoi Kasami.