Lajme Maqedoni

Kasami: Ditët e Taravarit në Qeveri janë të numëruara

Kryetari i Lëvizjes Besa , Bilall Kasami, deklaroi sot se ditët e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut janë të numëruara.

“Do ta shohim deri kur, edhe ndonjë ditë,” tha shkurt Kasami, duke lënë të kuptohet se largimi i Taravarit është çështje kohe.

Sipas Kasamit, me kryeministrin Hristijan Mickoski tashmë është dakorduar tajmingu dhe dinamika e veprimeve që do të ndërmerren në vijim, si pjesë e angazhimit të VLEN-it për të mos bashkëpunuar me BDI-në.

“Ajo që është me rëndësi dhe e kemi theksuar është se nuk ka dhe nuk do të ketë bashkëpunim me BDI-në, qoftë drejtpërdrejt apo përmes Qeverisë. Këtë e kemi dakorduar me kryeministrin dhe në ditët në vijim do të ketë veprime konkrete në këtë drejtim,” tha ai.

Kasami komentoi edhe qëndrimet e zëvendëskryeministrit Arben Fetai, duke e përshëndetur si një “zë ndryshe” brenda Aleancës për Shqiptarët. Sipas tij, ky është një sinjal pozitiv që hap mundësi për bashkëpunim me ato segmente të ASH-së që nuk kanë lidhje me BDI-në.

“Ne urojmë që ky zë ndryshe në Aleancë të jetë i fuqishëm. Do të dëshironim që ASH të mbetet pjesë e koalicionit VLEN dhe e Qeverisë, por pa përfshirë individë që kanë bashkëpunuar apo vazhdojnë të bashkëpunojnë me Ali Ahmetin dhe BDI-në,” përfundoi Kasami.

Exit mobile version