Lajme Maqedoni

Hapet konkursi për 300 ushtarë profesionistë në ARM

    Ministria e Mbrojtjes ka shpallur konkursin për pranimin e 300 ushtarëve profesionistë për shërbim në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut (ARM).

    “Sot kemi shpallur konkursin publik për pranimin e 300 ushtarëve profesionistë dhe 10 nënoficerëve në ARM. Gjithashtu, do të shpallet edhe konkursi për pranimin e 60 personave me arsim të lartë për gradën e oficerit. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë e motivuar nga të gjitha komunitetet etnike, të cilët dëshirojnë t’i përkushtohen karrierës ushtarake dhe të mbrojnë sigurinë e shtetit dhe qytetarëve,” ka njoftuar ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, përmes një postimi në Facebook.

    Për të aplikuar kandidatët duhet të plotësojnë këto kritere:

    – Të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut
    – Të jenë në moshë madhore dhe të kenë përgatitje të mirë shëndetësore dhe fizike
    – Të kenë përfunduar arsimin e mesëm
    – Të mos jenë më të vjetër se 25 vjeç në ditën e përfundimit të konkursit

    Paga fillestare është 30,552 denarë, me një shtesë mbi 12,000 denarë për mbulimin e shpenzimeve të akomodimit. Orari i punës: 08:00 – 16:00. Kontrata fillimisht wshtw pwr 4 vite me mundësi vazhdimi deri në moshën 45 vjeç.Kandidatët do të nënshtrohen testeve përgatitore fizike dhe shëndetësore. Inkurajohen të aplikojnë edhe vajzat dhe gratë që plotësojnë kriteret.

    Konkursi është i hapur për 15 ditë, duke përfshirë ditën e shpalljes. Kandidatët mund të aplikojnë:Online, duke dërguar dokumentet në emailin zyrtar: javenoglaspfv@mod.gov.mk ose duke dorëzuar dokumentet në Departamentet e Mbrojtjes në qytetet e tyre.

    Për më shumë informacion të interesuarit mund të vizitojnë faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes: www.mod.gov.mk