Një nga mënyrat më të mira për ta nisur ditën mirë është duke i dhënë trupit ndihmë kundër inflamacionit, fillimisht duke pirë ujë, por edhe duke u ekspozuar ndaj rrezeve diellit.
Megjithëse shpesh flitet për inflamacionin si diçka të keqe, është e rëndësishme të dihet se jo çdo inflamacion është i dëmshëm.
Inflamacioni akut është reagim natyral dhe i shëndetshëm i trupit ndaj infeksioneve apo dëmtimeve.
Por inflamacioni kronik, që zgjat për një kohë të gjatë, mund të dëmtojë aftësinë e trupit për t’u shëruar dhe rritur rrezikun për sëmundje si diabeti, sëmundjet e zemrës dhe kanceri.
Prandaj, çdo veprim që ndihmon në parandalimin e tij është një hap drejt një trupi më të shëndetshëm.
Eating Well ka shkruar gjashtë zakone të thjeshta të mëngjesit, që janë mënyra të mira për ta nisur ditën:
1. Pini ujë sapo të zgjoheni
Gjatë natës, trupi humb lëngje dhe kur zgjoheni jeni natyrshëm pak të dehidratuar. Uji në mëngjes jo vetëm që ndihmon në hidratim, por ndihmon edhe kundër inflamacionit kronik.
Dehidratimi i vazhdueshëm lidhet me nivele më të larta të inflamacionit në trup dhe madje mund të çojë në atë që quhet ‘inflammaging’, inflamacion kronik që shfaqet me plakjen.
Pra, një gotë ujë në mëngjes është falas, e thjeshtë dhe tepër e dobishme.
2. Lëvizni trupin butësisht
Një shtrirje e lehtë si ajo që bëjnë qentë apo macet kur zgjohen, është shumë e dobishme edhe për njerëzit.
Ushtrimet e buta në mëngjes, si yoga, ecja ose shtrirja, ndihmojnë në uljen e shenjave të inflamacionit në trup dhe në indet që aktivizohen.
Aktiviteti fizik është i rëndësishëm, por lëvizja e butë në mëngjes është veçanërisht e favorshme për ata që duan të shmangin rritjen e shpejtë të inflamacionit nga stërvitjet e rënda.
3. Dilni në dritën e mëngjesit
Drita e diellit në mëngjes nuk ndihmon vetëm me gjumin. Ajo rregullon ritmin cirkadian, që ndikon drejtpërdrejt në sistemin imunitar dhe inflamacionin.
Mungesa e ekspozimit ndaj dritës së ditës mund të çrregullojë ritmin cirkadian dhe të çojë në rritje të proteinës C-reaktive (CRP), e cila tregon se trupi ka inflamacion sistematik.
Gjithashtu, dielli ndihmon trupin të prodhojë vitaminë D, e njohur për efektet e saj anti-inflamatore.
4. Hani boronica ose fruta të ngjashme me ngjyra të theksuara
Boronicat, mjedrat, manaferrat dhe frutat me ngjyra janë të mbushura me antioksidantë që ndihmojnë në luftimin e inflamacionit.
Këto fruta përmbajnë komponime si anthocyanina dhe flavonidet që veprojnë si agjentë natyralë anti-inflamatorë.
Përdoreni boronicat me kos të trashë apo pije të freskëta të pwrgatitura në shtëpi me fruta sezonale ose të ngrira.
5. Gjeni pak kohë për qetësi mendore
Stresi është një nga shkaktarët më të fshehtë të inflamacionit. Kur jemi të stresuar, trupi prodhon hormone si kortizoli, i cili në nivele të larta e për periudha të zgjatura, mund të shkaktojë inflamacion në tru dhe në trup.
Praktimi i ushtrimeve me frymëmarrje të thellë e meditim, ndihmon në uljen e stresit dhe inflamacionit të lidhur me të.
Edhe 5–10 minuta në mëngjes mund të bëjnë dallim.
6. Pini kafe ose çaj (me masë)
Kafja dhe çaji nuk janë vetëm rutina të këndshme të mëngjesit, por edhe burime të fuqishme antioksidantësh.
Çaji i gjelbër përmban EGCG, një antioksidant që ndihmon në uljen e inflamacionit, ndërsa kafja përmban më shumë polifenole se çaji në fjalë.
Çaji i zi gjithashtu është i pasur me përbërës që ndihmojnë në qetësimin e inflamacionit.
Të tjera mënyra për të luftuar inflamacionin gjatë ditës:
Gjumi i mjaftueshëm.
Gjumi i parregullt është i lidhur me rritje të inflamacionit, sidomos te gratë.
Aktiviteti gjatë ditës
Synoni për 150 minuta aktivitet të moderuar në javë dhe 2 sesione ushtrime me peshëngritje.
Reduktimi i konsumimit të produkteve me sheqer të shtuar
Sheqernat e tepërta ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e shenjave të inflamacionit në trup.