Lajme Maqedoni

Gati raporti i autospisë për vdekjen e kumanovarit Vedat Ademi

Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka njoftuar se ka marrë raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore lidhur me rastin e ndjerit Vedat Ademi. Raporti po shqyrtohet në bashkëpunim me provat e tjera të mbledhura në çështje, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret pas analizës së plotë.

Rasti i 32-vjeçarit nga Kumanova, i cili ndërroi jetë më 17 mars në spitalin lokal, është nën hetim në kuadër të një procedure parahetimore. Familjarët e tij dyshojnë se vdekja mund të jetë shkaktuar nga një medikament ndaj të cilit ai ishte alergjik, i administruar gjatë trajtimit në spital. Ata kanë ngritur pretendime për gabim mjekësor si shkak të ndarjes së parakohshme nga jeta të Vedatit.

Pas ngjarjes, drejtori i spitalit të Kumanovës, Stefan Trajanovski, është shkarkuar nga detyra, pas gjetjeve të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor që evidentuan disa shkelje në funksionimin e institucionit. Ministria e Shëndetësisë ka propozuar Urdhrit të Mjekëve të shqyrtojë heqjen e licencës për mjekun përgjegjës gjatë natës së ngjarjes.

Hetimet vazhdojnë me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive në këtë rast tragjik.

Exit mobile version