Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, konfirmoi sot se deri në këto momente në Kuvend nuk ka mbërritur dorëheqja zyrtare e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili njëkohësisht është edhe lider i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët.
Po ashtu, Gashi sqaroi se ska as propozim të ri për koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it.
“Dorëheqje ende nuk kemi. Nuk kemi asnjë informacion të ri për grupet parlamentare,” deklaroi Gashi në një takim me gazetarët.
Ai shtoi se në koordinimin e fundit në Kuvend nuk kishte asnjë përfaqësues nga VLEN-i, duke theksuar se në koordinime ftohen vetëm koordinatorët zyrtarë. “Kur të kemi një situatë të re, do ta ftojmë atë që do të jetë koordinator,” theksoi ai.
Ndërkohë, Arben Taravari mbrëmë deklaroi për agjencinë MIA se do të japë dorëheqje nga posti i ministrit, ndërsa për funksionarët tjerë të partisë së tij pret që të shkarkohen.