Botë Lajme

Edhe Trump si Biden, pengohet në shkallët e “Air Force One” (Video)

Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, u penguan teksa hipnin në bordin e avionit presidencial Air Force One të dielën, gjatë udhëtimit drejt Camp David. Incidenti ndodhi pas një ndalese në Hagerstown, Maryland, ku Trump zhvilloi një bisedë të shkurtër me gazetarët.

Në këtë prononcim, Trump u pyet nëse do të konsideronte aktivizimin e Aktit të Kryengritjes për t’u përballur me protestat kundër bastisjeve të emigracionit në Los Anxhelos.

“Kjo varet nëse kemi të bëjmë apo jo me një kryengritje,” tha Trump. Kur u pyet më tej nëse besonte se një kryengritje po ndodhte realisht, ai shtoi: “Jo, jo, por ka njerëz të dhunshëm. Dhe ne nuk do t’i lëmë të bëjnë çfarë të duan.”

I pyetur nëse do të vendoste trupa në terren edhe pa shpalljen zyrtare të një kryengritjeje, Trump deklaroi: “Do të kemi trupa kudo. Nuk do ta lejojmë vendin të shkatërrohet siç ndodhi gjatë presidencës së Biden.”

Ironikisht, Trump, i cili kishte tallur shpesh me ish-Presidentin Joe Biden për pengesat tij gjatë ngjitjes së shkallëve të Air Force One, këtë herë u bë vetë objekt talljesh në rrjetet sociale.

“Jam i habitur që nuk i ka zëvendësuar ende shkallët me një lëvizëse”.

“Tani është koha që Trump të pajiset me karrocë për të moshuar”.

Ndërsa gazetari Aaron Rupar komentoi: “Kur Biden bënte diçka të tillë, Fox News e transmetonte në pafundësi, si të ishte zbarkimi në Hënë.”

Ky episod vjen pasi, në verën e vitit 2023, Trump kishte tallur Biden që u rrëzua gjatë një ceremonie diplomimi në Forcat Ajrore në Colorado, duke e quajtur të turpshme për studentët.

Pas zgjedhjeve të vitit 2024 dhe tërheqjes së Joe Biden nga gara, duke ia lënë kandidaturën zëvendëspresidentes Kamala Harris, raportimet mbi përkeqësimin fizik dhe mendor të Biden janë shtuar ndjeshëm, një temë që vazhdon të jetë pjesë e debatit publik dhe politik në SHBA.

Exit mobile version