Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, paralajmëroi sot se Qeveria do të ndërmarrë masa të reja më rigoroze nëse Inspektorati Shtetëror i Tregut konstaton rritje të jashtëzakonshme dhe të paarsyeshme të çmimeve të produkteve pas përfundimit të masave për ngrirjen e marzhave, të cilat ishin në fuqi deri në fund të prillit.
Sipas tij, të dhënat zyrtare tregojnë një situatë të qëndrueshme ekonomike dhe madje ulje të inflacionit.
“Inflacioni për muajin prill është praktikisht zero. Krahasuar me marsin, ka një rritje minimale prej 0.6%. Ndërsa krahasuar me prillin e vitit të kaluar, inflacioni është 2.6%, pra nën 3%. Çmimet e ushqimeve janë thuajse të pandryshuara, me vetëm 0.3% rritje në baza vjetore. Nëse krahasojmë prillin me dhjetorin 2024, kemi deflacion prej 1.35%”, theksoi Durmishi.
Gjatë majit, Inspektorati Shtetëror i Tregut do të intensifikojë kontrollet, si të rregullta ashtu edhe të jashtëzakonshme, tek tregtarët, distributorët dhe prodhuesit. Qëllimi është identifikimi i çdo rritjeje çmimi që nuk ka bazë ekonomike. Raportet nga këto kontrolle do të përdoren për të formuluar masa të reja.
“Mund të zgjerojmë listën e produkteve me marzha të kufizuara, mund të rrisim përqindjen e marzhës ose të vendosim masa më rigoroze. Kjo është një thirrje për të gjithë aktorët ekonomikë – të mos spekulojnë me çmimet. Nëse konstatojmë abuzime, do të ketë pasoja konkrete”, deklaroi ministri.
Sa i përket raportimeve për shtrenjtim të produkteve higjienike deri në 60 denarë, ministri tha se kjo do të hetohet nga Inspektorati, i cili do të njoftojë Ministrinë për të bërë analizat dhe për të vendosur për masat e nevojshme.