Lajme Maqedoni

Dita e Punës nxori në pah përçarjet mes sindikatave në Maqedoni

     

    Ndërsa disa qytetarë e kaluan Ditën Ndërkombëtare të Punës në rrugë, të tjerë pranë skarës apo në shtëpi, kjo ditë solli më shumë ndasi sesa bashkim në radhët e sindikatave. Shpresat për një veprim të përbashkët sindikal u shuan që në fillim, meqë Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) mbeti pa mbështetje për marshin protestues që kishte paralajmëruar.

    Për herë të dytë brenda pak javësh, LSM do protestoj para Kuvendit, dhomave ekonomike dhe Qeverisë, duke këmbëngulur në kërkesën për një pagë minimale prej 500 eurosh. Edhe kësaj here, Konfederata e Sindikatave të Lira nuk iu bashkua protestës, duke qëndruar në pozicionin se sfidat duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut social.

    “Kemi shumë arsye për të protestuar dhe jo për të festuar. Sot është mundësia të tregojmë se jemi në krah të punëtorëve”, deklaroi kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov. Sipas tij, kërkesat e sindikatës nuk janë të reja dhe as nuk do të përfundojnë së shpejti. Protesta në 1 Maj synon të tregojë pakënaqësinë ndaj pagave më të ulëta në rajon që marrin punëtorët në vend.

    Ndërkohë, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Lira, Blagoja Ralpovski, mbetet i palëkundur në bindjen se problemet duhet të zgjidhen në tryezën e bisedimeve.

    “Në fund të fundit, çdo zgjidhje vjen përmes dialogut social. Aktualisht kemi një bashkëpunim të mirë dhe për këtë arsye zgjodhëm ta shënojmë 1 Majin ndryshe. Por nëse ndjejmë se të drejtat tona cenohen apo nëse përballemi me diskriminim, mos dyshoni se do të protestojmë menjëherë, pa pritur 1 Majin”, theksoi Ralpovski.