Lajme Maqedoni

Bujare Abazi emërohet kryetare e Komisionit për Letrat me Vlerë

    Shkup – Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot me 59 vota pro emërimin e Bujare Abazit si kryetare të re të Komisionit për Letrat me Vlerë, një nga institucionet më të rëndësishme për rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregut financiar në vend.

    Pas votimit, Abazi ka shprehur publikisht mirënjohjen e saj për besimin e dhënë nga deputetët dhe përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shtetërore.

    “Ndihem thellësisht e nderuar për mbështetjen e dhënë nga Kuvendi. Falënderoj Kryeministrin z. Hristijan Mickoski, Kryetarin e Parlamentit z. Afrim Gashi, Zëvendëskryeministrin z. Arben Fetai, Ministrin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës z. Azir Aliu, si dhe të gjithë deputetët për besimin e treguar. Angazhohem ta kryej këtë detyrë me përkushtim maksimal dhe profesionalizëm,” shkroi ajo në një postim publik.

    Emërimi i Abazit vjen në një periudhë kyçe për zhvillimin dhe stabilizimin e mëtejshëm të tregut të kapitalit në Maqedoninë e Veriut, me pritshmëri për reforma dhe qasje më të fuqishme institucionale në sektorin financiar./press7.tv