Kosovë Lajme

Bizneset po mbyllen, Kurti promovon ALPEX-in

    Sot gjatë ditës kryetari i Klubit të Bizneseve, Ilir Ibrahimi njoftoi për mbylljen e një fabrike si pasojë e daljes në treg të lirë të energjisë.

    Në anën tjetër kryeministri në detyrë, Albin Kurti përmes një statusi në Facebook ka promovuar APLEX-in, duke thënë se përmes tij KEK-u ka siguruar energjinë për konsumatorët në tregun e hapur me çmime konkurruese dhe transparente.

    “Bursa Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) është një ëndërr e kamotshme e realizuar për Kosovën. ALPEX është mekanizmi përmes të cilit tregu energjetik në të dy anët e kufirit bashkohet, e komplementariteti mes kapaciteteve tona energjetike shfrytëzohet më së miri.

    ALPEX është themeluar më 1 shkurt 2024. Ai është një treg që operon me rregullat më rigoroze e standardet më të larta të Evropës, ku gjithçka është transparente e çdo transaksion lë gjurmë të pashlyeshme.

    Dje dhe sot, përmes ALPEX-it, KEK ka siguruar energjinë për konsumatorët në tregun e hapur me çmime konkurruese dhe transparente.

    ALPEX është gjithashtu një hap i rëndësishëm drejt integrimit të tregut të energjisë elektrike të Kosovës në tregun evropian që parashihet të realizohet në vitin 2030.”, ka shkuar Kurti në Facebook.

    ZRrE dje më 1 qershor ka filluar zbatimin e vendimit për daljen në treg të lirë të energjisë për bizneset, derisa bizneset po kërkojnë kohë në zbatimin e këtij vendimi./21Media