Lajme Maqedoni

BFI reagon ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Medresenë “Isa Beu”

    Me shqetësim të thellë pranuam lajmin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Vendimit të Qeverisë së RMV-së nr. 02-268, të datës 09.05.2024 me të cilin themelohet Shkolla e Mesme Private “Medreseja Isa Beu” në Shkup. Nënvizojmë faktin që themelimi është miratuar me Vendim për dhënien e miratimit për themelimin e Shkollës së Mesme Private “Medreseja Isa Beu” nr. 41-3741/2 të datës 26.03.2024 nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të verifikuar me Vendim për verifikimin e kushteve për zbatimin e planprogrameve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me Vendimin nr. 13-3722/3 të datës 09.04.2024 në procedurë transparente duke kaluar të gjitha filtrat e përcaktuar nga ligjvënësi ashtu siç subjektet tjera fizike e juridike kanë themeluar dhe themelojnë institucione arsimore në vend.
    nga Bashkësia Fetare Islame thonë se do të presin pranimin zyrtar të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të RMV-së dhe pastaj  do të analizoj “arsyeshmërinë e Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Vendimti të Qeverisë së RMV” dhe do të ndërmarrë hapa konkretë juridikë.
    “Bashkësia Fetare Islame e RMV-së dhe Drejtoria e Medresesë i siguron nxënësit e Medresesë të qëndrojnë të qetë se BFI e RMV-së, në koordinim dhe bashkëpunim me Qeverinë e RMV-së, institucionet tjera relevante, faktorin politik dhe atë ndërkombëtar, ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar akreditimin e Medresesë. Në këtë kontekst, njoftojmë opinionin se para Gjykatës Kushtetuese kemi inicuar procedurë për vlerësimin e kushtetueshmërisë së nenit 7 të Ligjit për arsimin e mesëm (“Gazeta Zyrtare” e RM-së, nr. 64/18) me të cilin nuk lejohet “mësimi fetar nëpër shkollat e mesme me arsyetim se i njëjti është në kundërshtim me amandamentin 7 dhe nenin 22 të Kushtetutës së RMV-së i cili çdo qytetari i garanton lirin dhe mundësin për “arsim fetar” në “shkolla fetare” të organizuara nga BFI ose KOM-i”, thuhet në reagimin e BFI-së.
    Përveç kësaj, ne kemi pasur takime dhe kemi gjetur mirëkuptim nga drejtuesit e institucioneve përkatëse të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që pavarësisht këtij vendimit të Gjykatës Kushtetuese të gjejmë zgjidhje të përhershme ligjore, e cila do ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë këtë problem shumëvjeçar të Medresesë dhe ky proces është në vijim e sipër.
    “Shprehim shqetësimin dhe mospajtimin tonë të thellë me vendimin e miratuar nga Gjykata Kushtetutese, me të cilin vendim vazhdohet me politikën e mosrespektimit të Kushtetutës dhe krijon një vazhdimësi të mekanizmit të diskriminimit të nxënësve dhe nxënësve të Medresesë. Këtu nënvizojmë se është e pakuptueshme të diskriminohen nxënësit e një shkolle të themeluar në vitin 1984 dhe ky diskriminim të vazhdojë.
    Megjithatë, ne me vigjilencë dhe përpjekje maksimale, gjithmonë në frymën e tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me institucionet relevante, do të vazhdojmë me jetësimin e projektit madhor, zyrtarizimit të Medresesë, thuhet në reagim.