Lajme Shqipëri

Berisha nga Belshi: Socialistët po braktisin komisionet zgjedhore, administrata të respektojë ligjin

    Kryedemokrati Sali Berisha akuzon mazhorancën për përfshirje në krime elektorale dhe paralajmëron ndëshkim për ata që ndihmojnë patronazhistët. Premton ndryshime për çdo qytetar përmes programit të opozitës.

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi elektoral në Belsh, ka lëshuar akuza ndaj Partisë Socialiste, duke pretenduar se disa prej anëtarëve të saj po tërhiqen nga përfaqësimi në komisionet zgjedhore. Ai e cilësoi këtë si një shenjë të qartë të dobësimit të qeverisë Rama, ndërsa u bëri thirrje punonjësve të administratës të zbatojnë ligjin dhe të mos bien pre e presioneve politike.

    Nga qyteti i Belshit, Sali Berisha deklaroi se socialistë të shumtë po refuzojnë të jenë pjesë e komisioneve zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit. Ai e përshëndeti këtë si një akt qytetar që, sipas tij, dëshmon rrëzimin moral të mazhorancës aktuale.

    “Përshëndes të gjithë ata socialistë që kanë vendosur të mos marrin pjesë në komisionet zgjedhore të partisë së krimit. Ky është një tregues i qartë i çarjeve në radhët e regjimit të Edi Ramës përpara një disfate të pashmangshme. Ju jeni patriotë të vërtetë, të bashkuar nga dashuria për Shqipërinë dhe vlerat që ndajmë,” u shpreh Berisha para mbështetësve të tij.

    Duke folur për programin e opozitës, kreu i PD-së u zotua se ai synon të sjellë ndryshime reale dhe pozitive në jetën e çdo qytetari shqiptar. “Programi ynë është gjithëpërfshirës dhe i ndërtuar për të përmirësuar jetën e çdo shqiptari, pa dallim politik,” theksoi ai.

    Berisha u ndal edhe tek administrata publike, të cilës i bëri thirrje të ruajë integritetin profesional dhe të mos përfshihet në veprime të diktuara nga interesat politike të mazhorancës.

    “I bëj thirrje çdo punonjësi të administratës të qëndrojë besnik ndaj ligjit dhe të shërbejë qytetarëve në përputhje me të. Ata që zgjedhin të ndihmojnë patronazhistët janë bashkëpërgjegjës në një krim elektoral. Do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe do të përballen me drejtësinë,” përfundoi ai.