Lajme Maqedoni

Bekim Qoku kundërpërgjigjet Taravarit: Nëse ka servilosje, ai duhet të shikojë veten e tij

    Shefi i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar ndaj deklaratës së Arben Taravarit, i cili akuzoi koalicionin VLEN për “servilosje” dhe dëshirë për të hyrë me çdo kusht në qeveri.

    Në një deklaratë për TV21, Qoku tha se është paradoksale që Taravari ngre akuza të tilla, ndërkohë që vetë po përpiqet të qëndrojë në qeveri pas një takimi me kryeministrin Hristijan Mickoski.

    “Është e habitshme që Taravari dëshiron të mbetet në qeveri, ndërkohë që e akuzon VLEN-in për servilosje. Nga zhvillimet e takimit të djeshëm, duket qartë se dikush është dashur të serviloset për të siguruar vazhdimësinë në pushtet,” u shpreh Qoku.

    Ai theksoi se Taravari ende mban postin e ministrit falë pjesëmarrjes së VLEN-it në qeveri dhe nuk mund të distancohet nga ky fakt.

    “Nëse flet për servilosje, duhet të nisë nga vetja. Ai është ministër në kuadër të VLEN-it dhe vetëm përmes këtij koalicioni është bërë pjesë e qeverisë. Nuk mund të luajë rolin e një të jashtmi, ndërkohë që përfiton nga brenda,” përfundoi Qoku.