Lajme Maqedoni

Bekim Qoku ironizon liderët e BDI-së: Rinia e ChatGPT-së nuk mund të rreshtohet pas fosileve politike

Analisti dhe profesori universitar, Bekim Qoku, ka reaguar ashpër në një status në rrjete sociale, ku ka ironizuar me mënyrën e të menduarit dhe jetesën politike të disa prej figurave kyçe të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), përfshirë Ali Ahmetin, Sadulla Durakun dhe Musa Xhaferin.

“A di rinia që Ali Ahmeti, Sadulla Duraku, Musa Xhaferi përdorin ende telefon Nokia? Që jetojnë në dhe me mendësinë e fillim shekullit të kaluar? Dhe këto pyetje retorike nuk janë metafora,” shkruan Qoku, duke vënë në pah hendekun e madh mes brezave në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Ai thekson se rinia e sotme, që është e rritur me teknologjitë më të avancuara si ChatGPT, inteligjenca artificiale, rrjetet sociale dhe algoritmet, nuk ka asnjë lidhje me politikanët që përfaqësojnë të shkuarën. “Nëse po, ajo nuk mund të quhet rini,” shton ai në mënyrë të prerë.

Qoku gjithashtu thekson se BDI-së i duhen “urgjentisht reforma të thella”, duke përdorur një gjuhë të afërt me rininë: “Upgrading të hardwareit (figurave) dhe Updateing të softwareit (mendësisë). Sepse ndryshe nuk janë kompatibil me aktualitetin.”

Ky status vjen në një kohë kur debati për përfaqësimin e rinisë në politikë është gjithnjë e më i fortë, ndërsa shumë të rinj kërkojnë ndryshime rrënjësore në strukturat dhe filozofinë e partive politike shqiptare në vend./press7.tv

Exit mobile version