Lajme Maqedoni

Bekim Qoku: Bashkëpunimi me BDI-në është bashkëpunim me krimin për interesa personale dhe klanore

    Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, në një reagim publik, ka kritikuar ashpër Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), duke e cilësuar këtë subjekt si një strukturë të kapur nga krimi dhe korrupsioni. Ai ka theksuar se çdo bashkëpunim me BDI-në është i dëmshëm dhe i motivuar nga interesa personale apo klanore.

    “BDI-ja sot nuk është më një parti politike në kuptimin e plotë të fjalës. Ajo është shndërruar në një rrjet të organizuar që përfaqëson krimin, korrupsionin, hajdutërinë dhe imoralitetin politik,” ka deklaruar Qoku.

    Ai shtoi se nuk ka ndonjë parti tjetër shqiptare në Ballkanin autokton që ka arritur një shkallë kaq të lartë të komprometimit dhe degjenerimit, duke e cilësuar këtë si një pengesë të madhe për çdo përpjekje për bashkëpunim ndërpartiak mbi çështje me rëndësi kombëtare.

    Sipas tij, BDI ka humbur jo vetëm legjitimitetin politik, por edhe atë moral dhe kombëtar. “Pas shumë vitesh të mbushura me afera, krime, vrasje dhe skandale, është më se e qartë se prioriteti i udhëheqësisë së saj nuk është interesi i përgjithshëm, por mbrojtja e interesave personale dhe familjare të kreut të saj, Ali Ahmeti,” ka theksuar ai.

    Në përfundim, Qoku është shprehur se kushdo që zgjedh të bashkëpunojë me BDI-në nuk mund të konsiderohet as i paditur dhe as i pafajshëm. “Ai është bashkëpunëtor i vetë krimit – për interesa të tij personale apo të klanit që përfaqëson,” ka përfunduar deputeti i VLEN.