Lajme Maqedoni

BDI dhe VLEN në përplasje të ashpër: Akuza për përulje ndaj Mickoskit dhe keqpërdorim të pushtetit

BDI ka reaguar me kritika të ashpra ndaj partnerëve shqiptarë në Qeveri, duke i akuzuar ata se, për t’i shërbyer Kryeministrit Hristijan Mickoski, po kontribuojnë në degradimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në një komunikat për mediat, BDI ka theksuar se këta partnerë janë shndërruar në “fëmijë” që kërkojnë leje për çdo veprim politik, duke u detyruar të japin llogari për takimet dhe ideet që nuk janë miratuar nga Mickoski. BDI po ashtu ka ngritur shqetësimin se këto parti janë harruar se mandatin e tyre nuk ua jep lideri i VMRO-DPMNE-së, por votuesi shqiptar, i cili, sipas BDI-së, nuk i ka mbështetur as në zgjedhjet e fundit.

BDI ka ngritur një sërë pyetjesh ndaj koalicionit VLEN, duke përmendur takimin monoetnik të Mickoskit me liderin e LSDM-së, përjashtimin e shqiptarëve nga diskutimet shtetërore dhe emërimet në pozita të larta nga figura me qëndrime antishqiptare. Po ashtu, ata kanë shprehur shqetësim për shkatërrimin e Inspektoratit të Gjuhës Shqipe dhe përjashtimin gjithnjë e më të madh të shqiptarëve nga vendimmarrja në institucionet shtetërore.

Nga ana tjetër, koalicioni VLEN ka reaguar me akuza të forta ndaj BDI-së, duke e akuzuar atë për përpjekje për të destabilizuar qeverinë dhe shkaktuar zgjedhje të parakohshme. VLEN thekson se BDI ka dështuar të kthehet në pushtet dhe se shpresat e saj janë shuar, duke i cilësuar tentativat për të përdorur oligarkinë, Soravian dhe Llotarinë për të mbajtur pushtetin si të pasuksesshme. VLEN e ka cilësuar BDI-në si të vetmuar, të izoluar dhe pa mbështetje nga populli dhe bashkësia ndërkombëtare.

Sipas VLEN-it, BDI është një forcë e humbur që ka mbetur e vetmuar në përpjekjet e saj për të sunduar vetëm. Në këtë kontekst, koalicioni i VLEN-it e sheh veten si forcën që përfaqëson demokracinë, pluralizmin dhe luftën kundër korrupsionit, duke e cilësuar veten si një forcë që bashkon shqiptarët dhe që është kundër ndarjes së tyre. VLEN akuzon BDI-në për përçarje dhe mbrojtje të politikanëve të korruptuar.
VLEN deklaron se është e vendosur të qëndrojë pranë popullit dhe partnerëve të saj, duke besuar në fitoren e ideve të saj mbi ato të BDI-së.

Exit mobile version