Lajme Maqedoni

Aziri: Votuesit që qëndruan 22 vite në opozitë meritojnë respekt, jo lënie në mes të rrugës

    Anëtari i Kryesisë Qendrore të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Sabri Aziri, ka kritikuar publikisht veprimet e fundit të kryetarit të partisë, Arben Taravari, duke theksuar mungesën e transparencës dhe nevojën për rikthim te parimet themelore të partisë.

    Në një intervistë për televizionin Alsat, Aziri tha se ASH nuk është pronë e një individi dhe se aktivistët, anëtarët dhe qytetarët që i kanë dhënë votën partisë, duhet të dëgjohen.

    “Ne jemi ASH edhe kur nuk pajtohemi me vendimet e kreut. Partia nuk mund të udhëhiqet me logjikën e pronës personale,”  deklaroi Aziri.

    Ai kujtoi se ishte një nga të parët që u distancua dhe votoi kundër largimit të ASH-së nga qeveria, duke konsideruar vendimin si një kthesë të pashpjeguar politike që rrezikon besimin e qytetarëve.

    “Nuk mund t’u thuash votuesve që pas 9 muajve në pushtet po i lëmë pozitat. Ndryshimi nuk arrihet me dalje nga qeveria, por me angazhim brenda saj,”,  theksoi ai.

    Aziri vlerësoi se vendimet e fundit nuk janë reflektim i vullnetit të gjerë partiak, dhe paralajmëroi se edhe funksionarë të tjerë të ASH-së mund të distancohen nga qëndrimet e Taravarit. Ai konfirmoi se brenda koalicionit VLEN, ASH do të vazhdojë të funksionojë si subjekt më vete dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale do të bëhen në bashkëpunim me partnerët e koalicionit.

    Lidhur me takimin e paralajmëruar të Taravarit me kryeministrin Edi Rama, Aziri tha se nuk ka qenë i njoftuar dhe se mungesa e konsultimit është tregues i mëtejshëm i problemit me mënyrën e udhëheqjes aktuale.
    Aziri tha se nuk e përjashton mundësinë që Taravari të afrohet me BDI-në në të ardhmen, por shtoi se qytetari ka nevojë për figura që i shërbejnë interesit publik, jo për lëvizje të paqarta politike.